Dhjetë armë zjarri të llojit pistoletë janë sekuestruar nga policia gjatë operacionit “Transportuesi 2”, ku është goditur një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Kosova në Tiranë.
Armët e zjarrit janë gjetur në bagazhet e një autobusi të parkuar në një terminal në Lundër.
“Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë. Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itinerarit. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.”
Policia ka vënë në pranga katër të rinj nga Kosova, të cilët kishin organizuar trafikun e armëve dhe kishin për qëllim shitjen e tyre në vlerat një mijë e 500 deri në tre mijë euro, shkruan A2cnn.