Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Dubravës të 22 majit të vitit 1999.
Haradinaj ka thënë se kjo masakër s si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik.
“Nga 19 e deri më 22 maj 1999, shteti serb kreu një akt të përgjakshëm dhe të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë. Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar.
“Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën “22 Maji” në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012. Edhe pse këto masakra janë nga ngjarjet më të dokumentuara, me emër e mbiemër, askush nuk është gjykuar për krimet e kryera. Ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre krimeve genocidale janë mbetur të lirë dhe pa u dënuar”, është shprehur Haradinaj.