Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, që në Gjykatën Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili derivon nga Marrëveshja Bazë (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), dhe jo atë që ai e ka nënshkruar në 2015, apo ish-kryeministri tjetër Hashim Thaçi, në 2013.
“Ndërkombëtarët tani po e kërkojnë Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit të Kurtit të vitit 2023 që në fakt emërtohet si Asociacion, por është autonomi politike territoriale në komunat ku serbët janë shumicë. Prandaj, s’ka asgjë të përbashkët me atë të vitit 2013 dhe dokumentin e vitit 2015”, thotë Mustafa për AP.
“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës”.
Ndryshe, Kosova ka dështuar që të futet në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës – i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin evropian – për t’u shqyrtuar anëtarësimi i saj në këtë organizatë.