Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas takimit që pati me kryetarët e partive opozitare në vend, ka thënë se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë.
Osmani, pas takimeve që pati me liderët e partive opozitare i falënderoi ata për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në fazën e ballafaqimit me agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.
“Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit”.
“Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Më tej, bëhet e ditur se Osmani i ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve por edhe sipas saj, do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët e Kosovës.
“Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë se sot, Osmani bashkë me shefin e AKI-së, Petrit Ajetin, kanë takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.