Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministri për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se krimineli, Milan Radojiçiq, gjithmonë “shpëtohet nga një dorë misterioze”, që sipas saj, ka fuqi si mbi serbët ashtu edhe mbi shqiptarët.
Ajo ka thënë se sot askush nuk duhet të pyes se si Milan Radojiçiq është shpëtuar nga çdo situatë apo nga tentativat për arrestimin e tij për vrasjen e Oliver Ivnoviqit dhe tash për sulmin terrorist në Banjskë.
“Askush nuk duhet të pyesë se si Milan Radoiçiq u “shpëtua” nga çdo situatë – nga tentativa e arrestimit për vrasjen e Oliverit e deri te incidenti i fundit në Banjska – dhe u tërhoq nga problemi nga një dorë misterioze që ka fuqi si mbi serbët ashtu edhe mbi shqiptarët. Dhe shokët e tij kanë mbetur në baltë…” – ka shkruar ajo.
Më tej, ajo ka thënë se pas sulmit terrorist në Banjskë “sot jemi në një situatë dhe pozitë shumë më të keqe negociuese se më parë.
“Dhe serbët, si serbët, edhe një herë bëjnë një fitore “qiellore” nga një disfatë e vërtetë strategjike dhe nuk e shohin të vërtetën nga lotët për viktimat: sot jemi në një situatë dhe pozitë shumë më të keqe negociuese se më parë.” – ka shkruar ajo.
Tutje, ajo ka pyetur nëse Vuçiq do të distanocohet nga “djali” i tij në veri.
“Shtrohet pyetja: a ka Vuçiq guxim dhe forcë të mjaftueshme për t’u distancuar nga “djali” i tij në veri të Kosovës, i cili tani qartazi po kërcënon interesat shtetërore dhe po e çon rininë tonë në një vdekje të kotë për hir të interesave të disave që e bëjnë këtë. Nuk duan stabilitet në Serbi. Përgjigja do të jepet në ditët në vijim.” – ka shkruar ajo në rrjetin social.