Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.
“Shtetas të tjerë nuk kemi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla.
Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit.
Gjithçka që ndodhi në Banjskë / Shuhet një polic
Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.
“Shtetas të tjerë nuk kemi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla.
Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë katër sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet. Ato nuk thanë nëse personat tjerë të armatosur, u larguan.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarve u është caktuar tashmë masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se ata dyshohen për një sërë veprash, përfshirë “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Duke folur në një konferencë për gazetarë të hënën, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se hetimet për të arrestuarit janë duke vazhduar.
“Sa i përket identifikimit të personave që kanë qenë prezentë, është duke u bërë një punë e madhe, por, për momentin, informacionet në këtë drejtim nuk mund t’i ndajmë me publikun”, tha Hoxha.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i tij i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzuan Beogradin zyrtar për orkestrimin e sulmit në Banjskë.
Çfarë thonë autoritetet në Beograd?
Në Beograd nuk ka asnjë informacion zyrtar për sulmuesit e Policisë së Kosovës, përveç asaj që tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Serbët nga Kosova u rebeluan, pasi nuk deshën ta vuajnë më terrorin e Kurtit”, tha Vuçiq.
Por, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare në pyetjet se kush janë sulmuesit, kush i ka trajnuar dhe me kë kanë qenë të lidhur.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse dikush nga grupi i sulmuesve ka kaluar në Serbi dhe nëse ai është arrestuar.
Meho Mahmutoviq, drejtor i spitalit në Novi Pazar, qytetit më të afërt përtej kufirit të Kosovës, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se gjashtë sulmues të policisë në Banjskë po trajtohen në këtë spital.
REL-i mori vesh jozyrtarisht nga një burim brenda spitalit se disa nga sulmuesit janë duke u trajtuar aty. Megjithatë, burimi nuk ka mundur ta thotë numrin e saktë dhe as të japë informacione për gjendjen e tyre shëndetësore.
Ekipi i REL-it shkoi te spitali në Novi Pazar pasditen e së hënës, por nuk vërejti prani të shtuar të policisë.
Qeveria e Serbisë dhe Zyra për Kosovën në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për t’i komentuar pretendimet e ministrit Sveçla se Millan Radoiçiq – nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe – është i lidhur me sulmin.
Qeveria serbe nuk iu përgjigj as pretendimeve të Prishtinës se grupi që ka sulmuar Policinë e Kosovës, dyshohet se është mbështetur aktivisht nga kjo qeveri.
As Presidenca e Serbisë nuk dha ndonjë koment.
Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e zakonshme për hetimet që të mos zbulojnë emra, derisa të kontrollohet gjithçka.
“Nëse autoritetet në Beograd dinë vetëm atë që ka lexuar Vuçiq, atëherë duhet ta zëvendësojnë menjëherë Vulinin”, thotë Janjiq.
Aleksandar Vulin është kreu i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA). Ai është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.
Janjiq thotë se, aktualisht, nuk ka informacione se ku janë “njëzet apo tridhjetë personat e mbetur nga grupi që u përlesh me Policinë e Kosovës”.
Autoritetet e Kosovës thanë se grupi prej rreth 30 sulmuesish ishte i armatosur me armë të rënda, përfshirë, sipas tyre: granata, armë ushtarake dhe disa automjete të blinduara.
Një sasi e madhe e këtij armatimi u konfiskua, tha Policia e Kosovës.
Janjiq thotë se motivi i sulmit ndaj Policisë së Kosovës është politik dhe përmend deklaratën e Vuçiqit se bëhet fjalë “për rebelim të popullit” serb.
“Tash e tutje mund të flasim për parapolici apo paraushtarakë brenda komunitetit serb”, thotë Janjiq.
Në një adresim të jashtëzakonshëm më 24 shtator, Vuçiq i hodhi poshtë akuzat se policia apo ushtria serbe janë të përfshira në sulmin në Banjskë.
Ekspertë të sigurisë në Kosovë thanë për Radion Evropa e Lirë se grupi që sulmoi policët kosovarë, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë.
“Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, tha Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Edhe Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i tha REL-it se sulmi në veri duket se ishte një aksion “i organizuar mirë”.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi sulmin në Banjskë në termat më të fuqishëm./REL