| Gazeta Papirus
15:50 Shkon në gjashtë numri i terroristëve të vrarë
Gjashtë terroriistë serbë janë vrarë deri më tani në Manastirin e Banjskës, ndërsa shumë pajisje ushtarake janë gjetur nga Policia e Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPressit.
15:33 Policia e Kosovës ka arrestuar kater shtetas serb në veri të vendit.
Arrestimi i tyre është bërë pak momente ma parë në komunën e Zveçanit.
IndeksOnline pas pak do të publikoj arsyet e arrestimet të këtyre serbëve.
15:21 Edhe një sulmues i vrarë në veri, gjenden dy trupat e tyre
Është vrarë edhe një sulmues tjetër në Banjskë të Zveçanit.
Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se të dy të vrarëve tashmë i janë gjetur trupat e pajetë.
14:58 Shefi i Zyrës së BE-së: Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së policit të vrarë në veri
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka reaguar ndaj sulmeve të grupeve kriminale në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai iu ka shprehur ngushëllime të përzemërta familjarëve, kolegëve dhe të dashurve të punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës, raporton Klan Kosova.
“Lexoni deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për sulmin e tmerrshëm nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes, kolegëve dhe të dashurve të punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
14:42 Ambasadorja e Izraelit për Kosovë Tammy Ziv, ka reaguar për ngjarjet në veri, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, teksa një tjetër mbeti i plagosur.
Ziv ka ngushëlluar familjen e reshterit të vrarë Afrin Bunjaku, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë policit të plagosur.
“Ngushëllimet e mia të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, që u vra në detyrë mëngjesin e sotëm në Zveçan. Policit të plagosur i dëshiroj rikupërim sa më të shpejt”, ka shkruar në Twitter Ziv.
14:24 LAJMI I FUNDIT: Policia konfirmon vrasjen e njërit prej sulmuesve të grupit kriminal
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se e ka vrarë njërin nga pjesëtarët e grupit kriminal në veri.
LAJM NË PËRDITËSIM
Komunikata:
KOMUNIKATË PËR MEDIA –shtesë 1
Prishtinë, më 24 shtator 2023
Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.
Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.
Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë.
Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë.
Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit.
14:21 Pas Bërnjakut, mbyllet edhe Jarinja
Polici Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë u vra sot në një operacion policor në fshatin Banjskë të Zveçanit, pasi njësitet policore kishin shkuar për t’i larguar kamionët e vendosur të cilët e kishin bllokuar rrugën.
E përveç tij, i plagosur mbeti edhe një polic tjetër.
Si shkak i këtyre zhvillimeve të tensionuara, në mëngjes u mbyll pika kufitare në Bërnjak.
Ndërkaq, është mbyllur edhe Jarinja, pikë e cila lidh Kosovën me Serbinë.
14:00 Lajçak: Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i ka dënuar sulmet e grupeve kriminale serbe ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka shkruar se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak.
Në reagim, ai thotë se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”.
“Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, tha Borrelli.
Ai tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.
“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, shkroi Borrelli në reagim
13:33 Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me vrasjen e policit Afrim Bunjaku në veri.
Sveçla ka thënë se policët e Kosovës po vazhdojnë të sulmohen nga grupe të armatosura, raporton Nacionale.
Ai ka bërë thirrje që tërroristët të dorëzohen.
12:45 Kurti: 30 sulmuesit e armatosur janë të rrethuar nga Policia e Kosovës, i ftoj të dorëzohen
Vrasja e një zyrtari policor dhe plagosja e një tjetri, mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës ka çuar në këmbë shtetin. Këshillit i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje, teksa kryeministri Albin Kurti tashmë ka dalë në konferencë për media.
Kurti në konferencë tha:
“Rreth orës 3, ka humbur jetën zyrtari ynë policor, Afrim Bunjaku, ndërsa në trajtim ndodhet një zyrtar tjetër, Alban Rashiti. Ai sot do të lirohet nga spitali pas një operacioni të suksesshëm. Pasi që janë penguar në rrugë, janë sulmuar me armë të ndryshme, përfshirë granata e zolla. Sot është ditë e rëndë në vendin tonë. Nga sot do të mungojë një zyrtar I përkushtuar. Vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim më të shtuar, në luftim të bandave kriminale, që cenojnë rendin kushtetues. Sulmet po vazhdojnë akoma. Ne e dëmojmë këtë sulm terrorist.
12:33 Kurti: Janë së paku 30 të armatosur rëndë që po e sulmojnë Policinë tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me sulmet në Banjskë të Zveçanit, ku ka bërë të ditur se janë së paku 30 profesionistë të armatosur rëndë që po e sulmojnë Policinë e Kosovës.
Këtë sulm Kurti e cilësuar si të financuar dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar.
12:11 Për vrasjen e policit në veri të vendit, ka reaguar edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili i dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
De Riu tha se përgjegjësit e këtyre sulmeve duhet të sillen para drejtësisë.
“Ata që janë përgjegjës për aksionin e vrasjes duhet të sillen para drejtësisë. Shpreh ngushëllimet më të thella për të dashurit e policit të ndjerë”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane.
12:01 Sejdiu: Lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës tash po hynë në një fazë të re
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se vrasja sotme e Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës nuk mund të konsiderohet e rastësishme dhe as si ndeshje me grupe kriminale, por është një goditje e qëllimshme kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, ky është një paralajmërim se lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës tash po hynë në një fazë të re.
“Të mbështetur, si gjithmonë gjer më tani, këto grupe kriminale duan goditje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Destabilizimi i Kosovës dhe pengimi i zhvillimit të saj “deri në dështim” janë qëllimi”, ka shkruar ai në Facebook.
“Loja e rrezikshme të cilën Serbia po e luan, sigurisht se është edhe përtej këtij qëllimi. Ndërlidhja e saj me zhvillimet e tjera të rajonit, si ato në Bosnje janë vetëm një tregues se ajo i nxitë dhe i do krizat si mjet mbijetese. Është momenti i fundit që të kuptohen këto ogure që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Fatmir Sejdiu.
11:54 Këshilli i Sigurisë ka përfunduar mbledhjen që filloi në ora 10:00, ku janë parë duke dalë nga objekti disa prej ministrave që me ligj iu takon të marrin pjesë në këto mbledhje.
Nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë janë parë duke dalur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiun e edhe shefin e Stafit të Kabinetit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Blerim Vela.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, i shoqëruar nga komandanti i Ushtrisë së Kosovës, Bashkim Jashari.
Më herët në Këshillin e Sigurisë ka qenë i pranishëm edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, i cili e ka lëshuar mbledhjen me herët, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është zëvendësuar nga zëvendësi i tij, pasi vetë nuk ka qenë i pranishëm.
Aktualisht, mbledhja e Këshillit të Sigurisë po vazhdon vetëm me krerët më të lartë të mbrojtjes, mes kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
11:43 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar sërish rreth vrasjes së rëndë të oficerit policor kosovar nga grupe të armatosura rëndë dhe të maskuara të nacionalitetit serb në Zveçan, me ç’rast tha se të shtënat mbi policinë kosovare po vazhdojnë ende.
Kurti rikonfirmoi përkushtimin e autoriteteve të rendit për të ruajtur sundimin e ligjit dhe rendit në mbarë vendin.
“Derisa mbajmë zi për humbjen e jetës së oficerit tonë të rënë, riafirmojnë përkushtimin tonë për sundim të ligjit dhe rendit në tërë territorin tonë. Sponzorizimi i Serbisë për dhunën dhe terrorizmin është shkelje e madhe e sigurisë tonë kombëtare dhe parimeve dhe vlerave ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në rrjetin “X”.
11:37 Qeveria e Kosovës në ora 12:00 do ta mbajë një konferencë për media, pas zhvillimeve të ditës së sotme ku i vrarë mbeti një polic.
Viktima Afrim Bunjaku, u vra gjatë një operacioni policor në fshatin Banjskë e Zveçanit, ku njësitet policore kishin shkuar për t’i larguar disa kamionë që kishin bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviq.
E pos tij, u plagos edhe një polic tjetër
11:33 Po raportohet për të shtëna sërish me armë zjarri në pjesën veriore të Kosovës.
Të shtënat janë dëgjuar afër fshatit Banjskë.
Gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se pak minuta më parë ishte dëgjuar një rrafal të shtënash.
“Jam në fshatin Banjksë, para 60 sekondave ishte edhe rrafalli më i ri që po dëgjohet kohë pas kohe. Ka akoma shkëmbime të zjarrit mes grupeve kriminale dhe Policisë, ndërkaq tash është shtuar praniar ndërkombëtare. E kemi parë KFOR-in”, ka thënë ai.
“Para gjysmë ore kemi parë autoambulancë të EULEX-it që ishte mjaft speciale që ka shkuar në drejtim të fshatit. Kjo për shkak se fshati është pika kritike e ngjarjes”, tha Tahiri.
11:30 Kryetari i komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka shkuar për ngushëllime në familjen e Afrim Bunjakut, policit të vrarë sot në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Idrizi tha se grupet kriminale dhe terroriste ende po veprojnë në veri.
“Familja e ka mërzinë, por e ka edhe forcën e shpirtit sepse janë të vetëdijëshëm se sovraniteti, si në këtë rast mbrohet me gjak”, tha Idrizi.
11:25 Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që autorët e sulmit në veri ku u vra një polic duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet e saj të thella për humbjen e jetës së një polici të Kosovës dhe dënon pa mëdyshje këtë incident tragjik në termat më të ashpër”.
Ajo njëherit i ka uruar shërim të shpejtë poilicëve të lënduar.
Më tutje, në një njoftim për media të UNMIK-ut, theksohet se ky mision po monitoron nga afër situatën dhe u kërkon të gjitha palëve të përmbahen
11:20 Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reguar pas vrasjes së policit në veri.
Ai tha se Partia e Lirisë e dënon sulmin kriminal ndaj Policisë së Kosovës, që rezultoi me vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.
“Kjo ngjarje e rëndë dhe e përsëritur tregon domosdoshmërinë e sundimit të ligjit. Mbështesim Policinë dhe autoritetet e Kosovës për të garantuar sigurinë publike dhe ndëshkuar autorët e kësaj ngjarje kriminale”, shkroi Meta në Facebook.
11:00 Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde ka reaguar pas vrasjes së policit dhe plagosjen e një tjetri në veri të vendit.
Rohde ka thënë se është pajtuar me deklaratën e ambasadorit amerikan dhe ka thënë se autorët e sulmit duhet të dalin para drejtësisë.
“Unë pajtohem plotësisht me deklaratën e kolegëve të mi amerikanë. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të KOS-it duhet të dalin para drejtësisë.” – ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Tutje, ai ka thënë se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë.
Ambasadori gjerman ka shprehur ngushëllime për famlijen e policit të vrarë.
“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policëve të vdekur të PK-së dhe për policët e plagosur të PK-së.” – ka shkruar Rohde.
———————————————————————————————————
10:31 – Hovenier: ShBA-ja i dënon ashpër sulmet e orkestruara ndaj policisë në veri – autorët duhet e do të dalin para drejtësisë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja i dënon ashpër sulmet e dhunshme dhe të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm.
Hovenier tha se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, tha Hovenier.
Më tej, Hovenier tha se ShBA-ja e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
10:03 – Kurti viziton policin e plagosur në spital, mbledh Këshillin e Sigurisë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka vizituar policin Alban Rashiti, i cili u plagos sot në orët e hershme të mëngjesit.
Kurti tha se me sukses është kryer heqja e predhës së një granate.
Ai tha se polici Alban Rashiti, do të lirohet nga spitali.
Kreu i qeverisë bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit”, tha Kurti.
10:00 – Krasniqi pas vrasjes së policit: Sulm direkt kundër Kosovës – të gjithë ta dënojnë fuqishëm
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri, ku tha se në këto momente të dhembjes, qëndrojnë të bashkuar krah policëve të vendit.
Krasniqi tha se përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, Policia e Kosovës po e mbron sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit.
“Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore”, tha Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai apeloi tek qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, pasi sipas tij, përshkallëzimi i situatës në veri i konvenon vetëm Serbisë e bandave kriminale nën kontrollin e saj.
“Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”, tha Krasniqi.
09:56 – Polici i plagosur në veri, flet mjeku: Është jashtë rrezikut për jetë – është plagosur në krahun e majtë
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci , tha se polici që mbeti i plagosur në Banjskë të Zveçanit, është jashtë rrezikut për jetë.
Kolgeci në një përgjigje për Klankosova.tv tha se polici është i plagosur në krahun e majtë, po ashtu ka një plagë shumë të lehtë në këmbën e djathtë.
“Gjendja e pacientit është stabile, presim me qenë e tillë edhe në të ardhmen. Unë mendoj se e ka kaluar rrezikun për jetë, për arsye se nuk ka plagë në organe vitale”, tha Kolgeci për Klankosova.tv.
Polici i plagosur në QKUK është dërguar rreth orës gjashtë të mëngjesit, teksa një zyrtar tjetër i policisë ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit në veri të vendit.
08:42 – Shefi i Stafit të Osmanit: Persona të unfiromuar të Serbisë janë futur 15 kilometra brenda Kosovës, Vuçiq do të dështojë
Shefi i Stafit në Kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se persona të uniformuar të Serbisë me automjete të blinduara janë futur 15 kilometra brenda territorit të Kosovës.
Vela tha se presidenti serb, Alekasandar Vuçiq “i është drejtuar një agresioni të paparë ndaj Kosovës. Ai do të dështojë”.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm, një polici i Kosovës ka mbetur i vrarë pas sulmeve që u bënë ndaj tyre nga grupe të armatosura me zollë, granata dore e armë zjarri.
08:28 – Vrasja e policit në veri, reagon Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vrasjes së policit në veri.
Ai në në postim në Facebook ka shkruar se sulmi i sotëm është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”.
“Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë, përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë!”
“Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv
08:26 – Konjufca për vrasjen e policit: Sulm i strukturave të drejtuara nga Serbia – ShBA-ja e BE-ja ta dënojnë këtë agresion
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit, për të cilin tha se është sulm terrorist i strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, veprimeve për rend e ligj por edhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit.
“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai kërkoi që autorët e këtij krimi urgjentisht të sillen para drejtësisë, teksa ftoi institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.
08:20 – Policia tregon si erdhi deri te vrasja e zyrtarit policor: U gjuajtëm me zollë, granata e armë – sulmet po vazhdojnë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje se si erdhi deri te momenti ku mbeti i vrarë një polic e u plagos një tjetër në veri të vendit.
Sipas policisë, gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë të Veriut, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy kamionë pa targa, ku me çrast është bllokuar hyrja në këtë fshat.
“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në reagimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, policia tha se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
“Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në reagim.
Më tej, policia tha se ata kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara e të armatosura.
08:01 – Polici i vrarë mbërriti pa shenja jete në spital
Polici i vrarë dhe ai i plagosur së pari janë dërguar në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës, ku sipas gazetarit Haris Ademi, polici tashmë i vrarë ka mbërritur pa shenja jete në spital.
Sipas të dhënave ende të pakonfirmuara, deri te shkëmbimi i zjarreve ka ardhur pasi thuhet se një grup i armatosur e kanë bllokuar magjistralen që shpie nga Mitrovica për në Leposaviq dhe e kanë sulmuar me armë veturën zyrtare të policisë, në të cilën gjendeshin policët e Kosovës.
Grupi sulmues është fshehur për në Manastirin e Banjskës dhe ende ka të shtëna armësh mes tyre dhe policisë së Kosovës.
Ndërsa, zyrtari i plagosur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm.