Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër pas ndëprerjes së ndeshjes Rumani – Kosovë si pasojë e thirrjeve nacionaliste të tifozëve rumunë “Kosova është Serbi”.
Lideri i PDK-së i cili ka qenë ministër i sportit kur e ka anëtarësuar Kosovën në UEFA dhe FIFA, tha se nuk ka sllogan që e ndryshon realitetin tonë.
“Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani – nuk na ndalin”, tha Krasniqi. Kreu i PDK-së tha se Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty. “Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova!”, tha ai.