Presidentja Vjosa Osmani, ishte e ftuar në Top Story të Grida Dumës. Në një moment, ajo e pyeti lidhur me deklaratën ndaj presidentit francez Emmanuel Macron.
Duma ia kujtoi Osmanit ‘perceptimin e përgjithshëm’ se ajo shihet si partnere e ndërkombëtarëve apo siç i tha ajo ‘një gur sigurie’ edhe nëse ‘Albin Kurti çmendet’.
Kështu tha znj.Duma:
“Kosova është në një moment delikat le të themi kështu, nuk po themi të rëndësishëm apo shumë të rëndësishëm sepse të gjitha momentet janë të rëndësishme, por le të themi delikat sa i përket veriut të saj, sa i përket klasës politike që shpesh është akuzuar dhe kryeministri Kurti që nuk po e bën dhe nuk po e ndjek agjendën amerikane, ju jeni parë, si një gur sigurie që edhe po e them në mënyrë metaforike ‘Albin Kurti çmendet’ ju jeni si një gur sigurie që SHBA kanë një partner strategjik, unë po e them një perceptim të përgjithshëm tani, që Vjosa Osmani është partnere e SHBA-së”, tha Duma.
Ndërkaq sa i përket raportit me SHBA, Osmani tha se Kosova ‘nuk mund ta ketë asnjë sukses pa mbështetjen e SHBA-së’.
“Unë jam thellësisht e bindur që për suksesin e Republikës së Kosovës si shtet sovran i integruar në strukturat euro-atlantike duhet të vazhdojmë ta përjetojmë këtë raport me SHBA si ekzistencial. Unë e kam përjetuar si një e re në politike, në procese kyqe për Kosovën, në pavarësinë e saj, të njohjes së saj, në Kushtetutën e saj, se asnjë sukses i yni nuk do të arrihej pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’, tha Osmani.
‘A të ka marrë Albin Kurti nga identiteti yt?’
Kjo ishte një nga pyetjet që autorja e emisionit Top Story, znj.Grida Duma, ia bëri presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani e cila u përgjigj kështu:
“Unë mendoj që arsyeja e vetme pse hapet ky debat kohë pas kohe se cili është identiteti për Presidenten, është seksizmi.
Kur isha në LDK, thonin kjo s’merr vendime vetë, i merr Isa Mustafa për të.
Kur dola nga LDK, thonin se kjo nuk merr vendime vetë, se dikush nga burrat merr vendime për të. Tani që jam presidente dhe njeriu më i votuar në historinë e shtetit tonë, thonë Albin Kurti merr vendime për të.
Por nga koha kur Kurti dhe VV nuk ishin pjesë e Parlamentit, të gjitha mendimet e mia, i sfidoj të gjithë, le të tregojnë se cilat qëndrimet e mia i kam ndryshuar”, tha Osmani.
Ajo u pyet edhe lidhur me mosmarrëveshjet e mundshme që mund t’i ketë me Kurtin, dhe foli kështu:
“Nuk e kam atë përshtypje, është detyrë e institucioneve të kujdesen për cështjen e sigurisë, të luftojnë bandat kriminale në veri.
Por kjo natyrisht duhet të bëhet në mënyr kolektive, duhet koordinim me SHBA dhe vendet tjera evropiane.
Nuk them që kemi konflikte, ka nuanca, është krejtësisht normale, për tema të ndryshme, nga tema të brendshme deri te diskutimet rreth bashkërendimeve me aleatë.
Por edhe për luftimin e korrupsionit e synimin për tema euro-atlantike.
Si ia bëni kur nuk flisni me javë të gjata?
Ne komunikojmë, nuk e ndërprejmë komunikimin në asnjë moment, kjo është formula e arritjes së pajtimit pastaj. Fakti që respektojmë shumë mendimet e njëri tjetrit dhe qëllimet e përbashkëta që kemi, por as nuk i kursejmë shumë kritikat ta them shumë sinqerisht”, tha ajo.