Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.
Seanca e jashtëzakonshme e 4 shtatorit u thirr nga partitë opozitare.
Viti i ri shkollor në Kosovë nisi më 1 shtator. Por, për dallim nga 15 vjetët e fundit, këtë vit përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore u takon prindërve, të cilët do të rimbursohen përmes platformës qeveritare, E-Kosova.
Pavarësisht se debati dështoi të mbahej, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u dha fjalën përfaqësuesve të partive, të pranishme në Kuvend.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se me subvencionim të teksteve shkollore, MASHTI ka bërë shkelje ligjore.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka lënë nxënësit pa tekste mësimore, përderisa deputetët e partisë në pushtet po i ikin ballafaqimit në Kuvend.
“A mund të na tregojë ministrja [e Arsimit, Arbërie Nagavci] se a ka interesa personale, financiare apo të tjera që prej 4.8 milionë eurosh, koston e ka bërë 12.5 milionë euro për t’ua dhënë atyre që i kritikonte, kinse shtëpive botuese”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, ish-ministrja e Arsimit, aktualisht deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami pyeti se “prej kujt po ik Qeveria”.
Ministria e Arsimit, sipas saj, ka dështuar të bëjë “pazar” me shtëpitë botuese për furnizim me tekste shkollore, prandaj, sipas Bajramit është krijuar kjo situatë. Ajo tha se viti shkollor mund të përfundojë dhe disa nxënës mund të mos i kenë të gjitha tekstet shkollore.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, akuzoi ekzekutivin për mungesë guximi “për t’u ballafaquar me të vërtetën”, pasi sipas tij, tekstet nuk janë në shkolla, por në librari.