Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që të pezullojë menjëherë zbatimin e nenit 5 të Ligjit për Pronën e Paluajtshme, i cili iu mundësonte komunave faljen e tatimit në pronë për të gjithë qytetarët në vlerë deri në 100 euro.
Sipas njoftimit, këtë vendim Gjykata Kushtetuese e ka marrë pas kërkesës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së parashtruar në gjykatë nga Komuna e Prizrenit.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në njoftim.
Tutje, Kushtetuesja tha se vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të Ligjit të kontestuar mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale.
“Në të kundërtën, përkatësisht nëse Gjykata, pas vlerësimit dhe vendimmarrjes përfundimtare të saj, konstaton që neni i lartcekur është në përputhshmëri me Kushtetutën, komunat do të mund të zbatojnë nenin 5 të Ligjit të kontestuar dhe qytetarët edhe më tej do të mund të përfitojnë nga falja e tatimit në pronë të paluajtshme sipas vlerësimeve dhe vendimeve përkatëse të kuvendeve komunale, ndërsa shuma e falur për vitin tatimor 2023, do të llogaritet si paradhënie për vitet pasuese sipas vet përcaktimeve të nenit të lartcekur”, thuhet në njoftim.