Rreth 50 persona pjesë e “Kosovo Mountain Club”, kanë shkuar në mënyrë për organizuar për të ecur në zonën e Zubin Potokut. Sipas organizatorëve, paraprakisht policia ka qenë e njoftuar për ecjen, por gjatë rrugës ata kanë hasur në dy persona që kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.
Pas incidentit grupi ka ndërruar destinacionin e ecjes, ndërsa rastin e kanë lajmëruar edhe në polici.
Në lidhje me rastin për Insajderin ka folur zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili tha se nuk ka pasur të lënduar.
Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhë nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me azrmë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëmë të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat me i jep në Prishtinë”, ka thënë ai.
Ndryshe, një zyrtar i këtij klubi tha se të dyshuarit kanë gjuajtur përpjetë rreth 30 metra larg grupit.
“Grupi ka qenë duke bë hiking (ngjitje), në malet mbi liqenin e Ujmanit, dy persona kanë shkrep përpjetë me armë zjarri, pas kësaj grupi ka marrë vendim me u kthy. Kanë qenë pjesëmarrës rreth 50 persona në grup, nuk ka të lënduar, grupi është në rregull. Grupi ka vazhdu me ecë për në Shalën e Bajgorës.
Për rastin ka folur edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e cila për Insajderin tha se janë detyruar ta ndalojnë rrugëtimin e tyre përgjatë asaj pjese.
“Po është e vërtetë ka pasur të shtënë me armë zjarri, për fat të mirë jemi të gjithë mirë. Jemi detyru me u kthy ”, ka thënë Kadaj-Bujupi për Insajderin.
Grupi “Kosovo Mountain Club”, sot ishte duke ecur në vendin e quajtur Shijak i Bubes që është në veri të Kosovës. Rrugëtimi i klubit të atletëve kosovarë ishte paralajmëruar 5 ditë më parë. Ky grup për herë të parë po ia mësyente ecjes në Zubin Potok.
“Të dielën, me date 09 Maj 2021, ku për herë të parë do të shkojmë në Malet e Zubin Potokut që ndodhen në pjesën veriore të Kosovës, saktësisht mbi Liqenin e Ujmanit (Gazivodes)”, thuhej në njoftimin e KMC-së.
Bazuar në njoftim, ecja parashihej të fillonte nga Liqeni në 715m për të vazhduar në disa nga fshatrat të thella të Kosovës e deri në Maja Shijak i Bubes 1250m. Kthimi, parashihej të bëhej në një shteg tjetër. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shtëna me armë zjarri nga serbët e veriut. Ky aktivitet i atletëve kosovarë u ndërpre.