Xhiroja e 34-të e Superligës së Kosovës do ta sjellë njërën prej ndeshjeve vendimtare për titull të kampionit.
Drita dhe Ballkani do të përballen në mes vete në Gjilan, në betejën për titull.
Gjilanasit vijnë nga barazimi në Derbin e Anamoravës e therandasit nga humbja e papritur nga Arbëria.
Skuadra që fiton do të mbetet në garë për titull, ndërsa ajo që mposhtet do t’i zbehen thuajse përfundimisht gjasat. As barazimi s’do t’i konvenonte asnjërit ekip.
Kjo pasi deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro.
Prandaj, kjo lojë është për jetë a vdekje për gjilanasit dhe therandasit.
Krahas titullit, këto dy ekipe e synojnë eventualisht edhe vendin e dytë, i cili dërgon në garat evropiane.
Ndërkohë, Prishtina do të mundohet ta shfrytëzojë gabimin e cilitdo ekip për t’u shkëputur edhe më shumë në krye të tabelës dhe për t’iu afruar titullit kampion.
Por, Bardhekaltrit ndërkohë duhet ta kryejnë punën e tyre, pasi e presin në shtëpi Feronikelin.
Ekipi nga Drenasi nuk është në pozitë aspak komode pasi gjendet në mesin e ekipeve që rrezikojnë të bien nga liga.
Sidoqoftë, kryeqytetasit shihen si favoritë pasi vetëm fitorja iu kryen punë.
Arbërisë i nevojitet gjithsesi fitorja ndaj Drenicës për ta shpresuar mbijetesën.
E pikët më shumë se asnjëherë më parë i duhen edhe Trepçës ’89, e cila e pret ekipin e papërshtatshëm të Gjilanit.
Kurse, Llapi llogarit në fitore ndaj Besës së dorëzuar tashmë.