Kryeministri Albin Kurti ka kofirmuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojjtjes, Armend Mehajt.
“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka njoftuar se ministër të ri të Mbrojtjes e ka emëruar Ejup Maqedoncin.
“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë. Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari”, ka shkruar Kurti./