Nënkryetari i Lëvizjes Serbe “Dveri”, Ivan Kostiq ka pyetur nëse udhëheqja e Serbisë hoqi dorë nga seanca speciale e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, duke përkujtuar se ka kaluar një muaj nga “paralajmërimi pompoz” i presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “do të kërkojë një seancë të tillë”.
Po ashtu, Kostiq në një deklaratë me shkrim ka pretenduar se kanë kaluar tetë muaj nga letra e presidentit serb drejtuar KFOR-it dhe OKB-së në të cilën është kërkuar “respektimi i Rezolutës 1244 dhe kthimi i forcave të sigurisë serbe në Kosovë”, transmeton Paparaci.
“Përveç titujve në të gjitha mediat e regjimit dhe fjalëve të mëdha në konferencat e organizuara nga presidenti serb, serbët në Kosovë nuk kanë përfituar asgjë nga e gjithë kjo”, ka pretenduar Kostiq.
Prandaj ai e pyet udhëheqjen politike të Serbisë a ka hequr dorë nga lufta për “ruajtjen e integritetit territorial dhe të drejtave të serbëve të Kosovës në kuadër të OKB-së” dhe a ka hequr dorë nga kërkesa për thirrjen urgjente të seancës speciale të Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes përfaqësuesve të Rusisë dhe Kinës.
Ai gjithashtu ka përkujtuar se përfaqësuesit e MPJ-së ruse dhe ambasadori rus në Beograd kanë thënë se “do të iniciojnë iniciativën dhe do të bëjnë gjithçka që kërkon Serbia”.
“Është e qartë se udhëheqja politike e Serbisë ka borxhe dhe detyrime ndaj përfaqësuesve të NATO-s, KUINT-it dhe Perëndimit kolektiv dhe kjo është arsyeja pse Serbia nuk i përdor të gjithë mekanizmat në fushën ndërkombëtare për të mbrojtur sovranitetin e saj në “krahinën jugore” dhe sigurinë e “bashkatdhetarëve të saj”, ka pretenduar Kostiq