Dy komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore janë shkarkuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ministri Liburn Aliu tha në një konferencë për media se kjo erdhi pasi kishin kuptuar papritur se një kompani kishte marrë pëlqim në Ministri për ndërtimin e një inceneratori termik për trajtimin e mbeturinave në fshatin Varosh të Ferizajt. Pëlqimi mjedisor është pezulluar, tha ai, raporton Gazeta Express.
“Në maj befas na vjen një kompani dhe thotë kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave dhe po ashtu kemi marrë leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt për të ndërtuar një gjenerator. Kam kuptuar që në dhjetorin e vitit që shkoi ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incinirator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit”, tha Aliu. Nga takimet me qytetarët, ai tha se kanë kuptuar se “askush nuk e ka ditur që aty planifikohet të ndërtohet incenerator”.
Ministri dyshon se nga ky projekt që e ka zënë në befasi udhëheqjen e ministrisë dikush ka interesa në dëm të shtetit. Tha se skandali ndodhi në kohën sa ai është ministër.
“Është projekt i madh dhe normalisht ka interesa, kush e ka dhënë pëlqimin nuk e dimë me emra. Si është bërë dhënia e lejes, pra këto shkelje më kanë interesuar mua. Kur ka ndodh kjo, pra ka ndodh në kohën sa unë kam qenë ministër dhe unë po dal po e denoncoj. Me emra, nuk e di kush e ka nënshkruar, nuk e di as kush e ka dhënë emrat nga autoritetet komunale”, tha Aliu.
Ai njoftoi se në MMPHI ka nisur një proces auditimi dhe janë bërë matjet gjeodezike, ku më pas kanë kuptuar se “ky raport nuk ka të bëjë me realitetin fare”.
“Kemi marrë vendim që kjo të shkojë në auditim e aty më pas dalin edhe shkelje të tjera. Fatmirësisht përfundoi si rast deri tani me pezullimin e pëlqimit mjedisor”, u shpreh Aliu.