Futbolli po ndryshon me hapa të shpejtë. Jo vetëm në aspektin infrastrukturor dhe të marketingut, në mënyrën e menaxhimit të klubeve apo në popullaritetin e lojës. Por më së shumti po ndryshon në aspektin financiar. Në mënyrat e reja për të prodhuar të ardhura dhe në gatishmërinë e klubeve për të bërë çmenduri në merkato me afrimin e lojtarëve të bujshëm. Sigurisht duke plotësuar kërkesat ekonomike.
Kështu, në një krahasim të futbollistëve më të paguar në 2010 dhe me futbollistët më të paguar në 2023, diferencat janë të frikshme! E përbashkëta e vetme mes listave të lojtarëve të vlerësuar financiarisht nuk janë më shifrat. Por që Cristiano Ronaldo vijon të mbetet futbollisti më i paguar në botë.
Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të periudhës kur portugezi përfitonte 11,3 milionë paund në 2010. Vetëm një vit pasi kishte siguruar transferimin e ëndrrave te Real Madrid. Pas 6 viteve spektakolare me Manchester United. Asokohe, Ronaldo ndiqej në listën e më të paguarve nga Zlatan Ibrahimovic, i cili përjetoi vitin fatkeq tek Barcelona.
Ndoshta më të dobëtin e karrierës sa i takon rendimentit të tij të jashtëzakonshëm dhe pavarësisht kësaj, suedezi sërish fitoi 10,4 milionë paund. Shumë që i mundësoi të ishte futbollisti i dytë më i paguar në botë për vitin 2010.
Lista e tre futbollistëve më të paguar kompletohej nga Leo Messi, në atë kohë vetëm 23 vjeç. “Pleshti” vinte pas një triumfi në Topin e Artë, që e evidentonte me të madhe klasin dhe vlerën e tij absolute. Megjithatë, argjentinasi sërish renditej i treti, ku përfitonte 9,1 milionë paund në vit.
Në një kalim të shpejtë 13 vite më vonë, shifrat kanë ndryshuar në mënyrë drithëruese. Nëse Ronaldo përfitonte 11,3 milionë paund në 2010, sot ai përfiton 173 milionë paund në vit tek Al-Nassr. Vendim që në fillim shkaktoi shumë debate në Europë. Por për luzitanin që ka fituar gjithçka në kontinentin e vjetër, është e përligjur.
I dyti që ndjek Ronaldo është Karim Benzema, shoku i tij i skuadrës për 9 vite tek Real Madrid. Francezi përfiton 172 milionë paund në vit nga Al-Ittihad, ndërsa në listë pasohet nga Kylian Mbappe. I cili siguron 100 milionë paund në vit nga Paris Saint-Germain.
Pesëshja e lojtarëve të paguar përmbyllet nga N’Golo Kante dhe Neymar, ndërkaq Leo Messi mban vendin e gjashtë dhe përfiton 42 milionë paund në vit nga Inter Miami. Argjentinasi refuzoi një ofertë faraonike nga sheikët e Arabisë Saudite (400 mln euro në sezon). Por, përfitimet e Messit në MLS nuk mbyllen vetëm me pagën vjetore, pasi do të përfitojë shuma të mëdha edhe me marrëveshjet komerciale.