Në ditët e nxehta të verës, zgjidhje për freski nuk është vetëm deti. Malet dhe bjeshkët e Kosovës ofrojnë shumë mundësi për të kaluar ditë të këndshme. Peja me Grykën e Rugovës është një atraksion që tërheq shumë vizitorë, madje shumë prej tyre janë nga vende të ndryshme të botës.
Mundësitë e turizmit malor në Kosovë, e në veçanti në Pejë, janë të shumta. Ky rajon mbetet më i vizituari në të gjitha stinët.
Interesimi vjen nga turistë të moshave të ndryshme. Kjo është vetëm një mënyrë e argëtimit në zonën e Pejës, në këto ditë të nxehta vere. Bukuritë e këtij vendi tërheqin vizitorë edhe nga Arabia Saudite.
“Unë jam nga Arabia Saudite. Vij këtu pothuajse çdo verë për të parë malet e bukura që ka Kosova. Këtu është bukur në çdo kohë. Kemi qëndruar këtu që katër ditë dhe sigurisht do të kthehemi prapë për ta vizituar”, tha turisti nga Arabia.
Përveç ajrit te pastër e bukurive natyrore, Peja u ofron turistëve edhe atraksione të ndryshme për të kaluar kohën. Nga Komuna e Pejës thonë se Rugova çdo vit ofron risi andaj edhe numri i turistëve po shënon rritje nga viti në vit.
“Numri i turistëve është mjaft i madh, normal e kemi pas një numër më të vogël gjatë pandemisë. Por, nga viti i kaluar është në rritje. Sivjet kemi më shumë turistë anglezë dhe holandezë. E re do të jetë një shteg i ri që është në përpunim e sipër të projektit me një organizatë italiane, përndryshe kemi çdo vit risi në Rugovë, bujtina të reja, aktivitete të reja, sa herë që vjen turisti e ka një risi”, tha Blerta Begolli, zyrtare për projekte në Komunën e Pejës
Zyrtarët komunalë thonë se e kanë prioritet nxitjen e zhvillimit të turizmit në këtë rajon./rtk