Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, drejtorët e asamblistët e kësaj partie në kryeqytet.
Abdixhiku tha se Rama po bën një punë të jashtëzakonshme në transformimin e Prishtinës, pavarësisht pengesave që po u bëhet nga qeveria.
“Kryetari, Rama, po bën një punë të jashtëzakonshme në transformimin e Prishtinës pavarësisht vështirësive e pengesave që po u bëhet nga Qeveria. Sot, nëpër rrugët, rrugicat dhe sheshet e Prishtinës vëren gjallëri dhe punime të cilat janë në shërbim të drejtëpërdrejt të rritjes së cilësisë së jetesës në kryeqytet”, tha Abdixhiku.
Tutje, në takim bëhet e ditur se është diskutuar edhe procesi i zgjedhjes së kryesuesit të kuvendit komunal, i cili zgjodhi Pëllumb Bajqinovcin.
“Pëllumbi do t’i japë dinamikë tjetër punës në kuvendin komunal, siç e ka dëshmuar gjatë gjithë aktiviteteve të tij në kryeqytet. Ekipa qeverisëse e kryetarit Rama së bashku me asambleistët u dakorduan që t’i koordinojnë punët dhe projektet që po e përmirësojnë jetën e qytetarëve çdo ditë”, tha Abdixhiku.