Sipas rregullores së re të Kuvendit të Kosovës, stafi mbështetës politik i deputetëve do të paguhet me koeficient 5.8 apo 609 euro pagë, plus shtesa e shpenzime ditore. Kjo kalon pagën bazë të policit, ushtarit, mësimdhënësit dhe zjarrfikësit.
Gazeta Insajderi ka mësuar se disa nga asistentët e deputetëve veçse kanë filluar punën që nga 1 qershori.
Mediumi e ka siguruar edhe një vendim për punë-dhënie të asistentëve personal të deputetëve.
Insajderi ka provuar disa herë që të sigurojë listën e asistentëve të deputetëve nga shefat e Grupeve Parlamentare dhe vetë Kuvendit, mirëpo që të dy palët kanë refuzuar t’i ofrojnë listat
Asistenti i deputetit, pos kësaj, gëzon edhe 30 për qind të shtesave dhe nga 5 euro për shpenzime ditore që dalin nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Koeficienti për ta paguar atë është më i lartë sesa i zyrtarëve nga fusha e sigurisë, arsimit dhe shëndetësisë. Mësimdhënësi i shkollës së mesme të ulët ka koeficientin 5.6, polici 5, zjarrfikësi 5 dhe infermieri 5.6.
Pagesa jo e dinjitetshme e policëve ka bërë që 40 zyrtarë të dorëhiqen përbrenda gjashtë muajve.
Kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri ka treguar për Gazetën Insajderi se pothuajse çdo ditë pranojnë ankesa nga zyrtarët policorë.
“Shumica e pjesëtarëve të policisë, për mos me thënë të gjithë kanë ankesa për mos pagesën e shtesave dhe kushteve tjera”, tha ai.
Që nga implementimi i ligjit të ri të pagave, pjesëtarët e policisë nuk e kanë marrë shtesën për rrezikshmëri në punë – Për këtë, Zeqiri thotë se është nënçmuese pasi që ata ekspozohen 24/7 ndaj rrezikut për shëndet dhe jetë.
Insajderi raportoi vitin e kaluar se 70 ushtarë janë larguar me vetdëshirë nga shërbimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë 2022-ës