Situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ka marrë vëmendjen e gazetës zvicerane “SonttagsBlick”, e cila ka sjellë një rrëfim të ushtarëve zviceranë nga kampi i trupave paqeruajtëse të NATO-s (KFOR) në Prishtinë “Camp Film City”.
Një ushtar i KFOR-it që ka pritur ekipin e “SonttagsBlick” në aeroportin e Prishtinës ka thënë se mbi 90 paqeruajtës të KFOR-it kanë mbetur të lënduar nga protestat e dhunshme në Zveçan më 29 maj, të cilët, sipas gazetës zvicerane, janë shprehur të mërzitur me politikanët që i kanë ekspozuar ndaj rreziqeve.
“Shumë janë të mërzitur me politikanët, të cilët i fajësojnë për përshkallëzimin. Ata kanë ekspozuar forcat e sigurisë ndaj një rreziku të pashmangshëm”, ka shkruar gazeta e përjavshme, duke iu referuar trazirave të 29 majit në Zveçan – komunë e banuar me serbë etnikë në veri të Kosovës.
Steffi Beeler (38-vjeç), e cila drejton Qendrën Mjekësore në bazën e KFOR-it, ka treguar për “SonttagsBlick” përjetimin e saj kur është dashur të trajtojë paqeruajtësit e lënduar të KFOR-it nga protestat e dhunshme në veri – kryesisht italianë dhe hungarezë – dhe për jetën në një zonë tensioni, shkruan AP.
“Ishte mjaft e rëndë të trajtoheshin kolegët e lënduar. Ishte e tmerrshme. Tash e kemi të krejtësisht të qartë se çfarë do të thotë të jesh në një zonë tensioni”, ka thënë Beeler për gazetën zvicerane. teksa kujtoi ditën kur kontingjenti zviceran ndihmoni në trajtimin mjekësor të të lënduarve.
Nuk mund të zbuten e as të fshihen sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, sulmet e fyerjet ndaj gazetarëve kosovarë dhe simbolet nacionaliste serbe bashkë me ato ushtarake të propagandës ruse.
Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.