Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, me ftesë të presidentit të UEFA-s Aleksandër Çeferin, po qëndron për një vizitë në Nyon të Zvicrës.
Ademi dhe Çeferin biseduan rreth zhvillimit të futbollit në Kosovë dhe projektet e ardhshme.
“Gjatë takimit, presidenti Çeferin shprehu interesimin e tij për futbollin në Kosovë dhe projekte të reja si dhe për raportet e FFK-së me institucionet e vendit. Ai u informua në detaje nga presidenti Ademi rreth situatës aktuale në lidhje me edukimin e kuadrove, zhvillimin e futbollit dhe marrëdhënieve të FFK-së me institucionet e tjera”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
I pari i UEFA-s shprehu interesimin e tij për t’u informuar edhe mbi rezultatet e ekipeve kombëtare të Kosovës, progresin e infrastrukturës së futbollit, si dhe për vërshimet e fundit në disa pjesë të Kosovës.
“Në këtë takim, presidenti Çeferin shprehu edhe një herë mbështetjen e tij të plotë për FFK-në dhe presidentin Ademi, duke paralajmëruar njëherësh vizitën e tij në Kosovë. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm mes UEFA-së dhe FFK-së për të forcuar futbollin në Kosovë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e tij të qëndrueshëm”.
Ndërkaq i pari i FFK-së ia prezantoi të parit të futbollit evropian të gjitha projektet dhe arritjet e fundit në futbollin kosovar, duke e falënderuar atë për mbështetjen e fortë që UEFA i ka dhënë gjatë gjithë kohës.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për interesimin dhe përkrahjen e fuqishme të presidentit Çeferin, duke vlerësuar kontributin e tij në avancimin e futbollit në Kosovë.