Kosova është tronditur nga vdekja e nënës së bashku me birin e saj në lagjen “Asllan Çeshme” në Pejë, si pasojë e vërshimeve që ndodhën në qytet ditën e shtunë.
Nëna rreth 30-vjeçare së bashku me fëmijën e saj të vetëm 5-vjeçar, në momentet kritike ishin duke qëndruar në shtëpi.
Një ditë pas ngjarjes tragjike, në shtëpinë që u godit rëndë nga vërshimet duket se u shkatërrua çdo gjë.
Familjari i personave që humbën jetën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Albert Ademaj për KP tregoi rastin me detaje si arritën t’i nxjerrin trupat e pajetë.
Axha i 5-vjeçarit që vdiq si pasojë e vërshimeve, tha se nuk hasën në ndihmën e institucioneve.
Ademaj u shpreh se për t’i ndihmuar shkoi ekipi policor, porse, sipas tij, të njëjtit nuk ofruan ndihmë të mirëfilltë dhe as sjellje të duhur ndaj tyre.
Madje, sipas tij, në vendin e njëjtë që Policia deklaroi se gjurmoi dhe nuk hasi në gjetje, ai tha se pikërisht aty, arritën ta nxjerrin trupin e familjares.
Ai akuzoi institucionet që nuk i dolën në ndihmë.
Derisa tregoi rastin, Ademaj tha se edhe trupin e pajetë e dërguan vetë në ambulantë.
Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.
Ndërsa rreth rasti ka edhe një tjetër anëtar i familjes Ademaj ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë që ndodhi ditën e shtunë.
“Shi ka rënë, ka rrëshqit një pjesë e kodrës, e ka nxënë djalin, u mbush te ky vëllai plot ujë, derisa e ka mbajtur muri, kur se ka mbajt u fut uji, mezi i kemi shpëtuar dy fëmijë të tjerë, jemi munduar që ta shpëtojmë nusen se atë voglin se kemi pa askund hiç, pastaj e kemi gjetur në një shtëpi të kojshive, nusen e kemi gjetur në të tretën shtëpi në bodrum”, u shpreh familjari për KP.
Fatmir Asllani nënkryetar në komunën e Pejës tha për Gazetën Express se rastin e kanë raportuar fqinjët dhe gruaja që u raportua e zhdukur më vonë u gjet në afësri të një shtëpie të fqinjëve.
Vdekjen e dy viktimave e kanë konfirmuar mjekët.
Dy viktimat që humbën jetën mbrëmë si pasojë e vërshimeve të mëdha në Pejë, do të varrosen nesër në orën 15:00 në varrezat e qytetit