Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Në parkingjet publike por edhe në vende ku s’lejohet parkimi, ka raste të shumta të vjedhjeve. Për një rast të tillë që ka ndodhur në fillim të qershorit në Podujevë, Policia tashmë ka arrestuar një person.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur më 4 qershor në fshatin Lluzhan dhe ishte denoncuar pas 10 ditësh, kur pronari nuk e gjeti veturën ku e kishte parkuar.
Pas nisjen së hetimeve nga Policia, personi i dyshuar për këtë rast është identifikuar dhe tashmë është arrestuar, raporton Sinjali.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për B.Xh, i cili ka rënë në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme dhe më pas është shoqëruar për në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.