Gjatë një takimi me presidentin shqiptar Bajram Begaj në margjina të Forumit të Prespës, kryeministri Albin Kurti ka shprehur keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët me Shqipërinë.
Ai ka thënë se është humbur mundësia për t’u nënshkruar 13 marrëveshje, nga të cilat do të përfitonin qytetarët.
“Me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një takim të ngrohtë e miqësor, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti diskutoi për marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy republikave. Kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij për anulimin e njëanshëm të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, me ç’rast u humb mundësia e nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja nga të cilat do të përfitonin qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.
Kurti e ka falënderuar presidentin Begaj për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për qëndrimin e tij në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, duke e dënuar këtë akt të agresionit dhe duke kërkuar lirim të menjëhershëm të tyre.
Në një njoftim në Twitter megjithatë, kryeministri Kurti në dukje lëshoi ca për dikë si duket, kur theksoi ‘guximin e dënimit të sulmit të Serbisë dhe kërkesës për lirim të tre policëve’ nga Begaj. Kjo megjithëse të gjithë e kërkuan lirimin e tyre, dhe pa kusht.
Lehtë mund të paramendohet se kjo do të shihet si një sulm ndaj kryeministrit Edi Rama, për deklaratat e tij më të përmbajtura dhe rreshtimin me bashkësinë ndërkombëtare në vlerësimin se kjo krizë është nxitur nga veprimtaria e qeverisë kosovare.
“E falënderova presidentin Bajram Begaj sot për kurajën e tij për të dënuar sulmin e Serbisë dhe kërkesën për lirimin e menjëhershëm të oficerëve tanë, për mbështetjen e tij të palëkundur për marrëdhënien speciale mes dy shteteve tona. E vetmja rrugë përpara për Kosovën, Shqipërinë dhe 6 shtetet Ballkanit Perëndimor kalon përmes sundimit të ligjit”.