Milazim KRASNIQI
Qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj qeverisë Kurti, duke anuluar edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, është pasojë e konfrontimit direkt të Kurtit me SHBA-në, BE-në dhe me NATO-n. Tërheqja e qeverisë së Tiranës do të ketë synuar të përçojë mesazhin se ai konfrrontim është i dëmshëm dhe se rreziku i konfliktit të qeverisë Kurti me komunitetin serb në veri kërkon deeskalim urgjent, qoftë me me çmimin e izolimit të Kurtit. Nga ajo që është parë deri sot, nga SHBA, BE e NATO, Kurti po mbahet përgjegjës për eskalimin, prandaj edhe u është ekspozuar presioneve, gjë që qeveria e Tiranës nuk mund ta ndryshojë.
Realisht, Shqipëria si anëtare e NATO-s nuk mund të dalë kundër qëndrimit të Aleancës, sepse interesat e saj janë që të jetë partner i besueshëm edhe në situata të këtilla të vështira, të ngarkuara me sentimente kombëtare. Pra, Shqipëria edhe në këtë rast ndjek interesat e veta shtetërore, sepse as nuk sheh që në këtë konflikit po mbrohet ndonjë kauzë kombëtare. E kundërta po ndodhë me këtë krizë, po kërcënohet interesi shtetëror i Kosovës e me këtë realisht atakohet edhe insteresi kombëtar shqiptar.
Kosova nga ana e saj, në këtë konflikt ka hyrë pa pikë nevoje: për targat e veturave në komunat veriore.
Tash targat janë haruar, ndërsa qeveria Kurti po mirret me pasojat zingjirore që janë shkaktuar nga ai vendim i gabueshëm. Në fakt vendim i gabueshëm ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore, para se të sigurohej pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje.
Përtej kësaj krize konkrete në veri dhe konfrontimit të qeverisë Kurti me komunitetin euro-atlantik, reagimi histerik i qarqeve proqeveritare të Kosovës ndaj Shqipërisë, zbulon një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike.
Reagimi aq i ndyrë zbulon se Kosova ende është një vend rekonvalescent, në raport me jugonostalgjinë titiste dhe me shqiptaronostalgjinë enveriste. Urrejtja iracionale ndaj Sqhipërisë e njërit grup e ka buimnin te propaganda titiste kundër Sqhipërisë, ndërsa zhgënjimi me Shqipërinë e ka burimin te iredentizmi me paketim enverist, në anë tjetër. Në të dyja rastet, akuzat dhe vajtimet janë infantile, naïve dhe të dëmshme.
Për të gjithë njerëzit do të duhej të ishte e qartë se Kosova si shtet më vete, ka obligimet e veta dhe nuk mund t’i anashkalojë pa pasoja. As Shqipëria e askush tjetër nuk mund ta ndihmojë Kosovën, nëse udhëheqja e saj merr vendime të dëmshme, ashtu siç është duke vepruar qeveria Kurti.
Kosova vetë e ka zgjedhë këtë qeveri, e cila ka orientime të forta antiperëndimore dhe antidemokratike. Është e ditur se LVV që nga themelimi i saj ka qenë parti me orientim antiperëndimor dhe antidmeokratik, sepse e ka përdorë brutalisht dhe masivisht dhunën, për arritjen e qëllimeve politike.
Nga ana tjetër, duhet të jetë e qartë se sa më shumë që Kosova dobësohet si shtet, shkaku i gabimeve të qeverive të veta, aq më shumë mund të rritet arbitrariteti i faktorëve ndërkombëtar. Në atë pako edhe “protektorati vëllazëror” i Shqipërisë, si tentativë për të minimizuar pasojat. Pse? Sepse Kosova de jure është krizë ndërkombëtare. Në një gjendje të tillë, të gjithë akterët, duke përfshirë edhe Shqipërinë, përpiqen të shmangin efektet dhe pasojat e krizës.
Pasojat nuk shmangen me nostalgji naive nacional-romantike e me ideologji korozive. Ato mund të shmangen me realpolitikë. Cilado palë që del nga realpolitika, de facto e tradhton interesin shtetëror dhe interesin kombëtar. (16 qershor 2023)