Milojko Spajiq, lideri i Lëvizjes Evropa Tash, që doli fituese në zgjedhjet e djeshme në Mal të Zi, në shkurt të këtij viti kishte shpalosur qëndrimin, rreth pavarësisë së Kosovës në një intervistë për mediat malazeze.
Spajiq që është pretendent për postin e Kryeministrit, kishte theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se kjo temë është e tejkaluar.
“Nuk jam as i sigurt se as Serbia po kërkon nga ne që ta anulojmë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se kjo është një nga temat që është prapa nesh. Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja. Duhet të dimë se kemi nevojë për integrim në tregjet e mëdha si Evropa dhe SHBA”, kishte thënë Spajiq.
Ndruyshe, Spajiq mbrëmë ka deklaruar se pret që qeveria e re në Mal të Zi të formohet shpejt.
Ai megjithatë tha se koalicion nuk do të ketë me Partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq dhe Lëvizjen Qytetare URA të kryeministrit në detyrë, Dritan Abazoviq.
Spajiq nuk iu përgjigj pyetjes për një koalicion të mundshëm me listën “Për të ardhmen e Malit të Zi” dhe si do të reagonte Bashkimi Evropian ndaj tij.
Ai tha se sonte është koha për të festuar dhe se mëngjesi është më i zgjuar se mbrëmja.
“Për sa më përket mua, përgjigja është e qartë, por parimet e programit janë më të rëndësishmet, le të shohim se kush dëshiron të ndihmojë programin” Evropa Tani 2″. Ne jemi këtu për të dhënë rezultate për qytetarët gjatë këtyre katër vjetëve dhe kjo është e vetmja gjë që më intereson”, tha ai