Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka urdhëruar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi të lëshojë objektin e Komunës në të kundërt do të nxirret nga aty me forcë.
KFOR-i i ka thënë Hetemit që në rast se refuzon ta lëshojë objektin e Komunës do të largohet me forcë që aty.
Çfarë vlen të theksohet është se komandanti i KFOR-it të premten nuk e ka lejuar ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu ta vizitojë Leposaviqin, më konkretisht, kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Për vizitën e Liburn Aliut në komunën e Leposaviqit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kishin nisur një plan operativ, por KFOR-i si masë parandaluese të reagimit të protestuesve e kishte ndaluar Aliun.
Ministrit të Kurtit iu desh të kthehet mbrapa, pasi tashmë, komunat veriore të Kosovës janë në përkujdesjen e KFOR-it sa i përket çështjes së sigurisë dhe policia e Kosovës ka fare pak autoritet atje.
Situata në veri të Kosovës po vazhdon të jetë e tensionuar për gati 2 javë që prej kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi që me asistencë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës t’i dërgojë kryetarët e zgjedhur në objektet komunale.
Kjo u përcoll me prostesta të dhunshme të serbëve lokale, ndërsa autoritetet ndërkombëtare kërkuan që kryetarët të ushtrojnë detyrën e tyre nga objekte të tjera alternative dhe jo ato kryesore komunale.
Këshillat e ndërkombëtarëve nuk u dëgjuan. Koordinimi për t’i dërguar kryetarët në veri mungoi. Si pasojë e kësaj, qeveria Kurti u përball me kritika të mëdha nga ndërkombëtarët gjë që pasoi edhe me sanksione.
Kosova u përjashtua nga trajnimet ushtarake “Defender Europe 23”, ndërsa është raportuar se edhe Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke konsideruar pasoja të tjera për Kosovën si pasojë e këtyre veprimeve dhe e mosdëgjueshmërisë.
Në anën tjetër, sot emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë raportuar përpara eprorëve të tyre lidhur me vizitën e tyre në Kosovë dhe në Serbi.