Liljana Aksentijeviq, gruaja që kryeministri Albin Kurti e përmendi në mesin e emrave të organizatorëve të protestave të dhunshme në veri të Kosovës, është fotografuar me krerët e Listës Serbe të premten në protestat në Zveçan.
Srpska Lista ka publikuar fotografinë e saj, bashkë me krerët e partisë, Goran Rakiq e Igor Simiq.
“Patëm nderin të fotografoheshim me qytetaren dhe gruan e mrekullueshme, Liljana Aksentijeviq, të cilën Albin Kurti, në Parlamentin në Prishtinë, si dhe shumë serbë e serbe të ndershme, i bëri cak duke i shënjestruar si terroristë e kriminelë. Liljana është një grua e ndershme, punëtore, mike e person që gjithmonë ka qenë e gatshme të ndihmojë njerëzit pavarësisht kombësisë. Bashkë me të jemi duke luftuar paqësisht për të drejtat e popullit serb”, ka shkruar kjo parti si përshkrim të fotografisë.
Kujtojmë se të enjten, në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se Askentijeviq është zëvendësuese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan. Sipas deklarimit të kryeministrit, Aksentijeviq ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës.