Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë nuk duhet ta kenë kokën në Beograd e trupin në Kosovë.
Kështu mendon deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila në një intervistë për Gazeta Blic thekson se serbët po keqpërdoren nga Beogradi, por që duhet të mendojnë për veten e tyre dhe familjet që kanë në Kosovë.
“Qytetarët serbë duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë që Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe e thashë shkurt me një frazë që duhet të mësohen të jetojnë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të jetojnë me trupin në Kosovë e kokën në Beograd dhe ta destabilizojnë vendin sa herë atyre iu jepen urdhra nga Vuçiqi apo kushdo qoftë nga qeveria serbe. Ka ardhur koha që serbët të mendojnë në rend të parë për veten e tyre, pastaj për familjet e tyre që mendojnë t’i mbajnë në Kosovës dhe pastaj t’i japin edhe përgjigjen e duhur edhe Beogradit. Ata besoj se tashmë e kanë të qartë që Beogradi po i përdor dhe keqpërdor ata për nevojat e tyre, qoftë edhe elektorale. Ata duhet të mendojnë për veten e tyre, pasi janë komuniteti më i privilegjuar ndër komunitete”, potencon Musliu.
Sipas saj, Kosova duhet të ketë koordinim me BE-në dhe SHBA-të dhe se shpreson që në shtetin tonë do të ketë paqe dhe se nuk do të jemi gjithmonë në status quo.
“Mendoj që Kosova duhet të ketë koordinim të plotë edhe me BE-në edhe me SHBA-të. Unë pres që në këtë vend të kemi përgjithmonë paqe dhe zhvillim, sepse është veriu i Kosovës dhe temat e caktuara si dialogu, që e kanë ngufatur zhvillimin e Kosovës. Kosova nuk është një projekt që do të qëndrojë gjithmonë në status quo, por Kosova do të ketë projekte zhvillimore që të rinjtë, qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, ta ndiejnë veten në shtëpinë e vet dhe ta shohin perspektivën në vendin e vet”, deklaron Ganimete Musliu.