Kusari – Lila s’pajtohet me Hovenierin që kryetarët në veri do të kenë vetëm rol teknik.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se nga partnerët ndërkombëtarë nuk ka pasur ndonjë kërkesë ose sinjal që procesi i zgjedhjeve në veri duhet të ndalet.
Kusari – Lila komentoi edhe deklaratën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se pret që kryetarët e rinj në veri të kenë rol teknik e jo politik, për të cilën deklaratë tha se “Hovenier ose qeveria amerikane mund të ketë qasje ose këndvështrim tjetër pas këtij procesi”.
“Nuk shoh që jemi në anë të kundërta ose diçka që ka ngritur ndonjë sinjal të krizës eventuale apo çfarëdo mospajtimi, por është çështja që në këtë rast ka qenë një vendim i qeverisë sipas afateve dhe ligjeve në Kosovë dhe si i tillë ka ndodhur”, tha Kusari – Lila në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se Kosova është përballur me presion gjatë procesit të zgjedhjeve në veri, teksa përmendi vizitën e kabinetit qeveritar serb në Rashkë vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
“Shtyrja prej katër muajsh dhe insistimi i Beogradit që të dështojë në masën e daljes masive, sjellja e gjithë kabinetit qeveritar në Rashkë dy ditë para procesit kanë qenë sinjale të presionit ndaj Prishtinës për të treguar dhe për të dhënë atë pamjen se serbët janë të unifikuar dhe qeveria e Beogradit është afër serbëve të Kosovës por kjo është kundër çdo vlere demokratike e cila është në përputhje me funksionimin demokratik”, tha ajo.