Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kjo parti më 1 qershor do të hyjë në zgjedhje të brendshme, raporton Gazeta Papirus.
Abdixhiku tha se të premten do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm për t’u përgatitur për këto zgjedhje, derisa theksoi se ky proces zgjedhor do të zhvillohet mbi 7 parime.
“Sot kryesia e LDK ka marrë vendim të shpallë zgjedhje të brendshme. Për ne ky proces është festë sepse gjithmonë LDK-ja ka besuar në demokraci”, tha Abdixhiku në konferencën e sotme për media.
Kreu i LDK-së theksoi se synojnë që të kenë prezencë më të madhe të të rinjve në këtë proces zgjedhor dhe po ashtu tha se synojnë që njëra nga pozitat e nënkryetarit të jetë për një grua.
“S’ka mospajtime në mes partisë. Partia është më e bashkuar se kurrë. Të gjithë janë të interesuar të kemi një proces të hapur dhe të përfshirje të të rinjve dhe grave, si dhe një nga pozitat e nënkryetarit të jetë grua”, u shpreh ai.
Ai po ashtu shtoi se kanë marrë vendim të hapin katër degë në komunat veriore të Kosovës, si dhe të kenë organizim territorial të degëve në mërgatë.