Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe se për të nëse merren parasysh propozimet e Serbisë, ka rrezik të shkohet drejt defunksionalizimit të shtetit.
Pas ceremonisë së betimit të presidentit të ri të Malit të Zi, Osmani ka thënë se Kosova po punon me partnerët ndërkombëtarë që të mos tejkalohen vijat e kuqe dhe të respektohet sovraniteti e integriteti territorial.
“Kosova nuk i ikën obligimeve të saj, por në të njëjtën kohë ne kërkojmë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë të jenë të qartë sa i përket shkeljeve të cilat i ka bërë Serbia në raport me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër, respektivisht, neni 4 i marrëveshjes i cili kërkon që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për këtë arsye ne do të koordinohemi vazhdimisht me SHBA-në dhe BE-në dhe nuk kemi asnjë interesim dhe as qëllim që të ikim nga obligimet tona, por gjithnjë duke përsëritur që Asociacioni duhet patjetër të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe në asnjë moment mos të ketë ndonjë element që ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional”, ka thënë ajo.
Osmani është pyetur se nëse edhe dikush tjetër përveç Serbisë po kërkon Asociacion të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.
“Problemi është që në qoftë se zyrtarët e Bashkimit Evropian kërkojnë që edhe vetë statuti të jetë në mes të asaj se çka kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova, aty gjithnjë ka rrezik në qoftë se merren elementet të propozimit të Serbisë, që mund të shkojë drejt defunksionalizimit. Por ne po punojmë që garancitë e partnerëve tanë të zbatohen edhe në praktikë në mënyrë që mos të tejkalohen këto linja të kuqe dhe të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial por edhe funksionalizimi i brendshëm dhe parimi unitar i shtetit”, ka deklaruar më tej Osmani./KP