Misioni i OSBE’së në Kosovë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, shkruan Gazeta Metro.
Përmes një reagimin, në shtatë vjetorin e këtij vendimi, ky mision ka thënë se institucionet e Kosovës atë pjesë të tokës duhet ta regjistrojnë në emër të manastirit.
“Pas shtatë vjetëve, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë mbetet në letër. OSBE-ja e përsërit thirrjen e vet ndaj institucioneve që ta mbajnë sundimin e ligjit dhe ta regjistrojnë tokën në emrin e Manastirit”, ka vlerësuar OSBE’ja.
Kontesti juridik për atë se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll, ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit të Deçanit, ka zgjatur 16 vjet.
Më pas, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka anuluar vendimin e Këshillit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore të Deçanit.
Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka përcaktuar se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (çështje e aktvendimit përfundimtar).