Erden Atiq është betuar si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Nexhat Ugljani, kur ka hapur seancën ka konfirmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për procedurën e betimit.
Pas kësaj Atiq ka marrë fjalën dhe ka kryer betimin e tij si kryetar.
“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.
Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, para nisjes së seancës së betimit ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit.
“Trembëdhjetë asamblistë janë aty, kemi kuorum për të kryer detyrat kuvendore. Sot do të zgjidhet edhe nënkryetarja, që do të jetë nga komuniteti serb”, tha ai, pa e zbuluar se kush do të jetë ajo.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.