Pas miratimit të raportit të Parlamentit Evropian për Kosovën, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili falënderon për vlerësimin e lartë për arritjen e progresit demokratik të Kosovës.
Ai, përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se në raportin e votuar sot në Parlamentin Evropian, vlerësohet progresi i bërë në forcimin e demokracisë, luftën ndaj krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit.
“Raporti vlerëson arritjet e jashtëzakonshme të Kosovës në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në fushën e punëve të brendshme dhe migracionit, rritjen e operacioneve të suksesshme që synojnë luftimin e krimit të organizuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministri Sveçla më tej shtoi se vlerësimet e sugjerimet e ofruara në raport do të shërbejnë si udhëzues i vlefshëm për rritjen e mëtejme të demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar.
Ndërkaq për situatën në veri, ministri Sveçla vuri në dukje se ndajnë të njëjtat shqetësime me PE.
“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tonë”, nënvizoi ministri Sveçla, derisa shtoi se Ministria të cilën e drejton ai, bashk me agjencitë vartëse do të vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara për luftimin e këtyre elementeve kriminale dhe garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve. Do të zbatohen masa për adresimin e shpejtë dhe efektiv të kësaj çështje, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
E lidhur me korrupsionin ministri Sveçla shprehu vullnetin politik për ta luftuar në të gjithja nivelet, por edhe optimizmin për një rritje të kapaciteteve të sistemit të drejtësisë në vend.