Qytetari nga Prishtina, përkatësisht nga lagjja “Dodona” ka dëshmuar me faturat e tij se çmimi për tatimin në pronë për këtë vit i është rritur për rreth 700 për qind krahasuar me vitet e kaluara.
Qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë që u kanë ardhur me çmime shumëfish më të larta se viteve paraprake.
Shqetësim të njëjtë ka një qytetar nga Prishtina, ku tatimi i ishte rritur rreth 700 për qind më shumë se që paguante zakonisht. Nga 9.93 euro sa ka pasur obligim tatimor më parë për një parcelë prej 1 ari, këtë vit këtij tatimpaguesi nga Prishtina, i ka ardhur fatura 69.71 euro. Ky banor nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë) shprehet i habitur me çmimin kaq të lartë që është aplikuar sivjet për pronë.
“Nuk e kuptoj pse është ardhur kjo faturë kaq e shtrenjtë për rreth 700 për qind këtë vit. Bëhet fjalë për një parcelë vetëm 1 ari në Prishtinë”, është shprehur ai.
Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Për rritjen e tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), e cila ka bërë përgjegjëse për këtë rritje Ministrinë e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati.
Rritja e tatimit në pronë, sipas KMDLNj-së është plaçkitje nga ana e shtetit.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, është bërë e ditur në njoftim.
Edhe Instituti Kosovar Drejtësi i ka kërkuar qeverisë ta pezullojë shumëfishimin e tatimit në pronë deri më 2025. IKD e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave.
Vendimi i Ministrisë së Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë është kundërshtuar edhe nga qytetarët e vendit, ndonëse disa kanë kërkuar të falet tatimi deri në 200 euro për secilin tatimpagues.
LDK, nëpërmjet rezolutës në Kuvend kishte kërkuar që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprak.
Ndërsa, pas propozimit të Qeverisë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, dy javë më parë ka miratuar në parim Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë. Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk kanë arritur ta shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme që mundëson faljen deri 100 euro për çdo tatim pagues për vitin 2023. Po ashtu, si shembull konsiderohet nga tatimpaguesit se nga 1000 euro, 2000 apo 5000 euro tatim dhe falja e mëvonshme e 100 eurove nuk është asnjë ndihmë as përkrahje nga qeveria.