Agjencia Zvicerane e Inteligjencës, e njohur si FIS, po përgatitet të vendosë agjentë virtualë në internet, transmeton AA.
Në kuadër të nismës, duke filluar nga fundi i këtij viti agjentë me identitete të rreme do të punojnë për të marrë informacion në botën virtuale, njoftoi të enjten transmetuesi publik zviceran SFR.
Objektivat kryesore të agjencisë janë terrorizmi dhe ekstremizmi, sipas raportit.
Deri më tani “në disa raste” FIS kishte përfituar nga ndihma e agjentëve virtualë që punojnë për shërbimet partnere të huaja, tha agjencia e inteligjencës për transmetuesin në një përgjigje me shkrim.
Por tani ajo dëshiron të zhvillojë vetë kapacitetet në mënyrë që të mos jetë më e varur nga shërbimet e partnerëve të huaj, shtohet në deklaratë. Agjentët virtualë, ndër të tjera, do të kërkojnë të dhëna të rëndësishme për inteligjencën në rrjetet sociale.
“FIS nuk jep asnjë informacion mbi numrin e agjentëve virtualë dhe aftësitë e tyre ose për orarin”, tha ndër të tjera agjencia e inteligjencës.
Sipas ligjit aktual zviceran, ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd, duhet së pari të miratojë çdo përdorim të identiteteve të rreme.
Përdorimi i agjentëve virtualë supozohet të jetë nën mbikëqyrjen e organeve të kontrollit të inteligjencës. Këto, në veçanti janë, autoriteti i pavarur mbikëqyrës mbi aktivitetet e inteligjencës (AB-ND) dhe delegacioni i auditimit i parlamentit zviceran.