Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se Kosova është një shtet i pavarur dhe një realitet në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një konference të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, Milanoviq ka deklaruar se është me interes normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovë-Serbi.
Megjithëse kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, thotë udhëheqësi kroat, Kroacia është e prirur të ketë marrëdhënie dhe kontribuojë tek të dyja. “Kosova është në rrugën e duhur”, thekson Milanoviq.
“Kosova është një realitet. Numri më i madh i vendeve të BE-së dhe NATO-s e kanë pranuar, disa vende nuk e kanë pranuar, por po t’i pyesësh “pse nuk e kanë pranuar” as ato vetë nuk dinë ta argumentojnë arsyen pse. Ndonjëherë kjo është e mirë, ndonjëherë e rrezikshme, dhe ndonjëherë njerëzit sillen sipas shprehisë. Shprehitë janë të ndryshme”.
“Kroacia e ka pranuar Kosovën. Ky është një realitet. Do bëjmë çdo gjë që të mundemi dhe asnjëherë me synimin për të provokuar Serbinë, por me synimin që t’i ndihmojmë sa të jetë e mundur. E dimë që është e vështirë, por duam t’i bindim që Kosova është një realitet. Pra nuk është e shëndetshme të kemi një stil patronazhues, mentorues për të bindur një vend që ajo çfarë ne po bëjmë është në interesin e tyre. Flas këtu për Serbinë”.
“Unë nuk dua të vlerësoj çfarë është në interesin e tyre pasi nuk jam president apo qytetar i Serbisë, por realiteti është i tillë që Kosova është pjesë e Evropës dhe në një të ardhme jo shumë të largët do të njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe që tani Serbia gjendet këtu në një situatë skizofrenike. Nuk dua të jap aluzione klinike, por ndodhet në një situatë politike skizofrenike, e dyjëzuar…”
“Nga njëra anë kanë fantazi mbi raportet me Rusinë, në të cilën Serbia është thjesht vetëm një etiketë e vogël dhe nga ana tjetër pretendojnë se duan të futen në Bashkimin Evropian. Natyrisht çështja e Kosovës është e pandarë dhe rruga drejt pranimit të këtij realiteti do të çonte Serbinë drejt rrugës së duhur. Ne duam t’i çojmë drejt rrugës së duhur jo greminës”.
“Pra edhe njëherë e them se nuk dua të vendos çfarë është në interesin e Serbisë, tani të mos keqkuptohemi… Por shoh interesin tonë dhe interesi ynë, por edhe i Shqipërisë natyrisht, është dialogu, normalizimi i raporteve mes dy vendeve Kosovë-Serbi dhe pastaj të shohim si do të mbarojë kjo”, ka thënë Milanoviq./tch/