Gjashtë zyrtarë të mbrojtjes së afërt e rrethuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, derisa ai doli nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, aty ku u regjistrua si deputet. Ndërkohë, gazetarët po e ndiqnin nga pas, lideri i Vetëvendosjes po i ikte përgjigjes në një pyetje: A i ka numrat për formimin e Qeverisë?
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të entjen kanë nisur regjistrimin në Kuvendin e Kosovës. Kurti ishte ndër të parët që kreu një proces të tillë, për të ikur shpejt drejt objektit të Qeverisë.
Siç shihet tashmë në pamjet e publikuara në media, Kurti refuzoi të përgigjet në pyetjen se a i ka votat e nevojshmë për formimin e Qeverisë, transmeton Gazeta Papirus.
Njëjtë, kryeministri në detyrë veproi edhe të mërkurën gjatë vizitës së tij në Koshare, atje ku u pyet edhe për refuzimin që ia bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takim konsultativ.
Ndërkohë, një deputet i zgjedhur i VV-së po pretendon se i kanë numrat. Agim Bahtiri refuzoi të tregonte se për kë, apo për cilën parti bëhej fjalë.
“Mendoj se po…” – u përgjigj shkurt ai.
“Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë. Do të bëhet me deputet të Republikës së Kosovës…me deputet të Republikës së Kosovës” – tha Bahtiri.