Bruno Karaj, i cili sot është menaxher VIP-ash në Mykonos foli për historinë e jetës dhe peripecitë që ka kaluar për të arritur aty ku është sot. Në një intervistë për emisionin “ABC e Mëngjesit”, Bruno theksoi se është larguar drejt Greqisë kur ka qenë vetëm 20 vjeç për një jetë më të mirë.
Ai shtoi se ka tentuar shtatë herë që të largohet drejt Greqisë por pa fat. I është dashur të flejë edhe nëpër male ndërsa tentonte të largohej drejt vendit fqinj. Pasi arriti të shkojë në Athinë, ai tregoi se nuk ka dalur nga banesa për një muaj nga frika se mos kapej dhe e kthenin sërish në Shqipëri.
“Fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta. Më është dashur të emigroj kur nuk ishin liberalizuar akoma vizat. Dhe më është dashur të shkojë nga mali ilegalisht, 7 herë jam kthyer mbrapsht. Kam qenë rreth 20 vjeç. Kam parë me sy që binin edhe nga mali. Kam fjetur rrugëve dhe në mal.“, tregoi ai.
Por para se të bëhej një menaxher, Bruno është marrë me boks. “Kam dalë dy herë nënkampion i boksit në Shqipëri. Nuk kisha mundësi që ta vazhdoja më tutje sepse do shumë stërvitje dhe trajnim më specifik. Nuk i kisha kushtet e mira dhe për këtë shkak e detyrova ta ndërpres sportin e boksit.”, tregoi ai.
Sot ai është menaxher VIP-ash dhe ka takuar yjet më të mëdhenj botërorë si Elon Musk, Gigi dhe Bella Hadid, Cristiano Ronaldo, Dan Bilzerian edhe shumë të tjerë. Në një moment, ai rrëfeu edhe takimin me Elon Musk dhe Bella Hadid, për të cilët tha se u habit nga thjeshtësia e tyre.
“Motrat Hadid po ndiheshin shumë mirë. Bella u çua, më kapi nga dora dhe filloi të kërcente me mua. S’dija se si të reagoja. E shoqërova unë deri në banjo si bodyguard. Elon Musk ishte njeri shumë i thjeshtë. Ai donte privatësi dhe nuk kisha mundësi që të bëja një foto“, tha ai.