Për herë të parë në Serie A do të zhvillohen ndeshje një ditë pas Krishtlindjeve, në ditën që njihet si “Boxing Day”. Kjo xhiro, e 18-ta me radhë, fillon në orën 12:30 më ndeshjen mes Frosinones dhe Milanit, e përfundon në 20:30 me derbin mes Interit dhe Napolit.
Gjithsej pesë ndeshje do të zhvillohen sot në kuadër të xhiros së parafundit të pjesës së parë gjatë këtij sezoni të Serisë A. Këtë javë e fillon Juventusi, si edhe herët e tjera, në pozitën e liderit, me gjithsej tetë pikë më shumë se klubi në vendin e dytë, Napoli, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e parë për këtë xhiro do të jetë ajo mes Frosinones dhe Milanit, e cila do të zhvillohet në orën 12:30 në stadiumin Benito Stirpe. Skuadra e Gennaro Gattusos, edhe pse si mysafir, do të tentojë t’i japë fund formës së keqe me një fitore në këtë ndeshje.
Në orën 15:00 do të zhvillohen dy ndeshje, ajo mes Atalantës dhe Juventusit, si dhe Bolognës dhe Lazios. Në ndeshjen e parë, Juventusi është favorit për shkak të formës së mirë të skuadrës, ndërsa Atalanta ndodhet në pozitën e nëntë. Ndërsa, Lazio është favorit ndaj Bolognës, e cila deri në këtë pikë të sezonit rrezikon të bie në Serinë B.
Në orën 18:00, Roma do të presë në shtëpi, në stadiumin Olimpico, Sassuolon. Për shkak të formës së keqe nëpër të cilën është duke kaluar skuadra e Eusebio di Francesco, Sassuolo ka arritur ta sigurojë një pozitë më të mirë në tabelën e këtij sezoni dhe radhitet dy vende më lart se Roma.
Ndeshja e fundit e cila do të zhvillohet sonte do të jetë pikërisht ndeshja më interesante e ditës, pasi që Interi do ta presë në shtëpi Napolin. Përderisa Napoli ka arritur t’i sigurojë tetë pikë më shumë se zikaltrit këtë sezon, Interi e ka epërsinë e të qenit vendas.
Gjatë viteve paraprake, pjesa e parë e sezonit përfundonte në Serie A ngjashëm si në ligat e tjera, mirëpo duke filluar nga ky vit liga italiane do ta ketë një format të ngjashëm me Premierligën, pasi që do të zhvillojë ndeshje në Boxing Day, si dhe në fundjavë, afër Natës së Vitit të Ri.