Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, insiston se Manchester Unitedi do të luftojë në të gjitha frontet deri në fund të sezonit, pasi që ata synojnë të fitojnë tituj dhe jo vetëm ta sigurojnë një vend në top katërshe të Premierligës.
Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, që konsiderohet nga shumë njerëz si favoriti për ta marrë pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq” në fund të këtij sezoni, tha se për të është e rëndësishme ta zë një vend në Premierligë që e kualifikon në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Pochettino tha se fitoret në kupë janë të dobishme vetëm për ta ngritur egon e skuadrës, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Solskjaer, beson se suksesi në kupë dhe në Ligën e Kampionëve është më i rëndësishëm sesa një vend në top katërshe të Premierligës, pasi që i vlerëson trofetë si më të rëndësishme.
“Ëndrra jonë nuk është ta zëmë një vend në top katërshe. Ne jemi Manchester Unitedit, gjithmonë synojmë ta fitojmë titullin e ligës. Nuk mund ta bëjmë këtë gjë këtë sezon, por ne e synojmë këtë pasi që duam të kthehemi në atë pozitë”, ka thënë Solskjaer.
“Ne e kemi Ligën e Kampionëve, e kemi FA Cup, nuk mund të themi se e duam një vend në top katërshe dhe asgjë tjetër. Ne duhet të shikojmë se çfarë mund të fitojmë këtë sezon dhe unë e filloj çdo ndeshje si trajneri i Manchester Unitedit duke menduar se mund ta fitojë atë ndeshje”.
Manchester Unitedi ka arritur t’i fitojë të gjitha ndeshjet nën drejtimin e Solskjaerit, plot tetë të tilla. Ata e kanë ngushtuar distancën nga top katërshja nga 11 në vetëm tre pikë. Mirëpo, norvegjezi beson se klubi i tij tani është në garë për top treshe të Premierligës.
“Jemi në pozitën e gjashtë për momentin, kështu që jemi më larg klubeve në vendet e para. Mirëpo, tani jemi në garë për top treshen e Premierligës. Nuk mendoj se realisht mund ta fitojmë vendin e parë apo të dytë, por unë jam i kënaqur me ekipin dhe me dëshirën e lojtarëve për t’u përmirësuar”.