Në tryezën “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ, u tha se përveç shumë zyrtarëve të shumë institucioneve të Kosovës, të cilët mbajnë më shumë se një pozitë të punës, është edhe një rektor, i cili jep mësim në shkollë të mesme.
Blend Zyrapi nga KIPRED, ka thënë se në përgjithësi janë analizuar të dhënat për 656 zyrtarë publikë, prej tyre 60 zyrtarë kanë nga dy pozita, 10 zyrtarë kanë nga tri pozita si dhe 5 zyrtarë kanë nga katër pozita.
Një zyrtar në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka katër pozita pune, ndërsa edhe në BQK një zyrtar ka katër pozita pune.
Ndërsa, në Kuvendin e Kosovës shtatë zyrtarë kanë nga tri pozita pune. Po ashtu, në AKP një zyrtar ka tri pozita pune.Edhe Leonida Molliqaj nga Çohu, nga 34 institucione vetëm 12 prej tyre janë përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë për qasje në paga dhe për shtesa të zyrtarëve publik.
Ajo tha se është shqetësuese që në mesin e këtyre institucioneve, Kuvendi i Kosovës është njëri prej tyre, i cili nuk ka kthyer përgjigje lidhur me shtesat dhe për pagat e deputetëve e të gjithë punëtorëve të tjerë. Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka thënë se nuk pajohet me konstatimin e BE se korrupsioni është sëmundje endemike, pasi kjo sipas tij, nuk është në gjene, por sistemi i ndërtuar është i korruptuar dhe i kriminalizuar.
Kurteshi: Dënime jo meritore Video “Fatkeqësia është se ky sistem i joni, i ndërtuar i tillë, shkon i dënon njerëzit që i marrin nga 5 dhe 10 euro, me gjasë ata s’mund të japin as pare me dal prej burgut, por nuk i merr ata që i marrin nga 1 milionë e 2 milionë, 5 milionë euro, sepse ata paguajnë. Edhe ajo thënia e hajnave në burg: ‘Nuk han kashtë gjykatësi, han pare’. Bash është tipike për Republikën e Kosovës.
Kështu edhe shkon, ne kemi gjyqtarin, një kryetar të gjykatës, që për shumën rreth 60 milionë euro është dënuar dy vjet e gjysmë me kusht, ndërsa njeri që ka vjedh pesë metra dru është dënuar me gashtë muaj burg efektiv. Ky është sistemi i drejtësisë në Kosovë”, theksoi Kurteshi.
Dardan Sejdiu, deputet nga PSD, ka thënë se vetingu është pa alternativë dhe duhet gjithsesi të bëhet. Ndërsa, Billall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se kjo që është bërë nga organizatat jo qeveritare, shpreson që brenda një kohe shumë të shkurtër, të gjithë personat përgjegjës të japin përgjigje dhe të lëshojnë ato vende të punës, dhe të mbajnë ato që dëshirojnë – vetëm një.
Ahmet isufi nga AAK, konsideron se shoqëria civile ka një ndikim të madh në korrigjimin dhe ndryshimin e gjendjes nëse adresohen çështjet drejtpërdrejt, ashtu siç duhet.
Ndërsa, ajo që e ka befasuar për të keq deputeten e LDK-së Hykmete Bajarami gjatë këtyre aktiviteteve kundër korrupsionit, janë se ‘persona shumë të korruptuar, që e kanë kap shtetin janë çuar në këtë “Javë” dhe po trumbetojnë kundër korrupsionit’.
Ajo duke përfshirë edhe veten, ka thënë se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës janë ligjërues edhe në UP. Ndryshe, “Java Kundër Korrupsionit” do të vazhdojë deri më 14 dhjetor përmes debateve dhe aktiviteteve të ndryshme.