Federata e Spanjës në futboll edhe zyrtarisht ka njoftuar se ku do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Kombëtares së Spanjës dhe asaj të Kosovës.
Ata kanë bërë me dije se ky ballafaqim do të zhvillohet në Sevillë.
Ndeshja ndërmjet këtyre dy ekipeve është e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Botëror të futbollit, Katar 2022.
Sapo u mësua se shorti kishte vënë përballë Spanjën dhe Kosovën, u ngritën shumë reagime rreth asaj se ku do të zhvillohej ky takim për shkak se Spanja ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet.
Megjithatë, nga Federata e Futbollit të Kosovës ishin të bindur se kjo ndeshje do të zhvillohet sipas rregullave të FIFA-së dhe se ata nuk do të pranonin asnjë ndryshim, sidomos kur Kosova do të luante në rolin e vendasit.
Madje, Sekretari i FFK-së Eroll Salihu, në një intervistë për KosovaPress kishte deklaruar se ata nuk do të marrin parasysh asnjë alternativë tjetër, duke e përjashtuar edhe Shqipërinë si opsion.
Ndeshja ndërmjet Spanjës dhe Kosovës do të zhvillohet më 31 mars 2021.