Ish zyrtarja e lartë në Ministrinë e Drejtësisë, Argjira Asllani, dikur e afërt me ministren Albulena Haxhiu, e ka akuzuar këtë të fundit për ndërhyrje në drejtësi.
Ky reagim erdhi pasi Haxhiu e përmendi në një emision televiziv teksa fliste për vendimin për lirim me kusht të Luz Allakajt, i dënuar për vrasjen e dyfishtë në vitin 2014, në Marmull të Gjakovës – si dhe i përmendur nga VV si dëshmitar në rastin Dehari.
Asllani në një postim në rrjete sociale ka theksuar se paneli nuk i ka bërë favor të burgosurit e as nuk i ka cenuar të drejtën – duke shtuar se nëse kjo bëhet ka të bëjë me ndërhyrje.
“Gjithashtu paneli me këtë nuk i bën favor të burgosurit, kjo është një e drejtë që i garantohet me ligj. E nëse kjo e drejtë i cenohet, për këtë është gjykata evropiane e të drejtave të njeriu. Nëse persona të caktuar, kërkojnë të nderhyjnë në ndryshimin e vendimeve ose punën e Panelit, mendoj që kjo është shkelje. E nëse bëhet nga një zyrtar shtetëror, qoftë ministër apo çka do tjetër, do të thotë edhe ndërhyrje në drejtësi”, ka shkruar Asllani.
Asllani ishte larguar nga Ministria e Drejtësisë, pasi ishte pjesë e panelit që e liroi me kusht Allakajn.
“Zakonisht nuk jam person që bëj reagime lidhur me çështjet që diskutohen nëpër studio televizive, mirëpo u detyrova të shkruaj pasi që isha përmendur dhe për ta qartësuar atë çka znj. Albulena Haxhiu paska thënë, pasi jo të gjithë i njohin rrethanat juridike. Fillimisht, më lejoni të ju njoftoj se Paneli për Lirim me Kusht (tutje: Paneli) është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave për lirim me kusht, të parashtruara nga të dënuarit përmes Institucioneve Korrektuese”:
“Lirimi me kusht si procedurë ligjore, synon të arrijë zvogëlimin e efekteve negative të burgosjes për personat e dënuar, parandalimin e kryerjes së veprave penale, duke ofruar mundësine për rehabilitim dhe ri-integrim në shoqëri të personit të dënuar, përgatitjen për ri-integrim me qëllim që personi i dënuar ta menaxhojë jetën e tij në një mënyrë të përgjegjshme shoqërore. Gjithnjë pa rënë ndesh me ligjin pas lirimit, mbrojtjen e shoqërisë, duke ndihmuar në parandalimin e kryerjes së veprave penale të mëtejshme”, ka shkruar ajo duke përmendur edhe kushtet për lirimin me kusht.
Krejt në fund, Asllani ka përmendur edhe familjen Dehari.
“Po më vjen shumë keq nga familja Dehari që më duhet ta përmend në ketë kontest, gjë që nuk do e bëja kurrë, mirëpo jam e detyruar që të sqarohem. I dënuari në fjalë ka qenë i dënuar për vrasje dhe jo i dënuar pse ka qenë në një dhomë me Astrit Deharin. Pra nuk ka pasur fare të bëjë me ketë rast! Nesë ka pasur dikush diçka personale me të, atëherë ajo është çështje tjetër, ndërsa detyrë e imja ka qenë të veproj në bazë të ligjit, siç edhe kam vepruar”, ka shkruar Asllani në rrjete sociale.