Siç kërkoi edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur pjesërisht pro ankesave të partive politike për certifikim të listës së kandidatëve për deputetë. PZAP-ja ka vendosur që të certifikohen vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore.
Mbeten jashtë listave të dënuarit me aktgjykim final në tri vitet e fundit. Në këtë listë përfshihet edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Te VV-ja pos tij, kandidimi i është ndaluar edhe katër kandidatëve të tjerë. Vendimi thekson se Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.
I njëjti vendim vlen edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në listën e kësaj partie nuk do të lejohen Gani Dreshaj, Shqipe Kastrati e Rrahim Ajeti. AAK-ja më herët gjatë ditës njoftoi se i ka zëvendësuar tre emrat.
Partitë që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme. Supremja do të ketë tre ditë afat për vendim.
Procesi i certifikimit mbyllet më 31 janar.https://drive.google.com/file/d/12atI9pLcgHl0lQi09kjZ6HLJ0LCJf-dy/preview?resourcekey=null