Zyrtarisht sot Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin danez, Peter Sorensen, lehtësues në dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë të lehtësojë dialogun që do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të miratuar në shkurt dhe Mars 2023. Z. Sørensen do të marrë detyrat e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh”, thuhet në komunikatë.
Z. Sørensen është një diplomat danez me përvojë të gjerë, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, z. Sørensen përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke përfshirë edhe si përfaqësues të Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.