Zyra e BE-së në Prishtinë përmes një komunikate për media kanë thënë se janë në dijeni për vendimin preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Nga BE-ja konstatojnë se çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra dhe për këtë arsye kanë numëruar disa hapa të cilët duhej të ishin ndjekur. Këtu përmendin informimin paraprak të pronarëve, informacionet gjithëpërfshirëse për pronaret e pronave, të drejtën e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, dhe mundësinë e kompensimit adekuat, hapa të cilët sipas tyre duhej ndjekur përpara se procesi të vijë në përfundim.
Në këtë reagim thonë se themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore, sipas BE-së, në disa raste edhe para fillimit të procedurave të shpronësimit “ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrën e duhur nga institucionet”.
“BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësishtë procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve të prekur dhe mbajtësve të interesit respektohen plotësisht”, përfundon reagimi i Zyrës së BE-së.
Gjatë ditës së djeshme për këtë çështje reagoi ashpër edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Sipas saj, ky vendim i ekzekutivit është i papranueshëm.
“Jemi ne dijeni për këtë dhe është absolutisht e papranueshme, ka një arsye pse kur të shkoj në Kosovë do shkoj edhe në veri që të flas me qytetarët dhe të hulumtoj më shumë për këtë dhe më pas të përball Qeverinë në Prishtinë me situatën”, tha ajo ndër të tjera.