Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.
“Nuk është vendim, i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, tha presidentja Osmani.
Ajo ka theksuar se do të kërkohet edhe dokumentacion shtesë përpara vendimit për dekretimin ose jo të Isufajt.
“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë do t’i dëgjoj të gjitha palët, përfshirë shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre, të gjitha këto do të merren parasysh, dhe pastaj do të marr vendim përfundimtar”, tha Osmani për Kallxo.com.
Presidentja Osmani nuk ka dhënë datë se kur pritet ta marrë vendimin për Isufajn.
“Nuk mund të jap datë, sepse këtu me rëndësi është kualiteti i vendimit dhe jo data, jo sa ditë do të na marrë analiza e dokumentacionit, nuk mund të them që do ta stërzgjasim sepse në momentin që i marrim informacionet nga të gjitha”, tha Osmani.
Lidhur me procesin për Kryeprokuror të Shtetit dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, presidentja tha që pikët duhet të bëhen publike për shkak të interesit publik.
Më 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Zvarritja e këtij procesi nga presidentja Vjosa Osmani mund të shërbejë si pretekst për partitë opozitare që ta dërgojnë si lëndë edhe në Gjykatën Kushtetuese.